Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë i ofroi kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë 3 eskpozita me flamuj të rrallë. Në të dy kryeqytetet shqiptare dhe në Vlorë vizitorët patën mundësinë të admirojnë nga afër koleksionet mbresëlenës të QMKSH. Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë nga data 13 deri në 17 Nëntor mbi 16000 vizitorë të pranishëm në ekspozitë bënë që ky eveniment të vendosej në qendër të pasqyrimit mediatik. Pjesëmarrja e Kryetares së Kuvendit Znj. Jozefina Topalli dhe Ministrit të Kulturës Z. Aldo Bumçi në ceremoninë e hapjes dëshmoi seriozitetin e këtij aktiviteti në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar.
Në Prishtinë ekspozita tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të publikut. Shumë qytetarë intelektualë e studiues të njohur të Kosovës ishin të pranishëm prej datës 18 deri në 23 Nëntor. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë drejtori i kulturës pranë MKRS të Kosovës Z. Kamuran Goranzi, Z. Shyqiri Nimani, përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, dhe shumë personalitete të kulturës e botës së letrave të Kosovës.
Prej datës 24 deri në 28 Nëntor ekspozita u vendos në qytetin e flamurit, por edhe në qendër të vëmendjes së publikut. Një atmosferë e deshirë të zjarrtë të popullit shqiptar për të shpalosur me krenari përkatësinë kombëtare dhe flamurin e plotësoi më së miri QMKSH. Me një pasion e përkushtim mbi 30 vjeçar në mbledhjen dhe studimin e flamujve shqiptarë Z. Shpëtim Sala, President Nderi i QMKSH-së kishte çfarë ti ofronte publikut mbarëshqiptar në Vlorë.
“Dua të nënvizoj që realizimi i kësaj ekspozite është shprehja e asaj ç’ka mund të realizojnë koleksionistët në një shoqëri demokratike”, u shpreh Z. Sala. Historia e lashtë e kombit shqiptar është shoqëruar nga simboli i shqiponjës, këtij shpendi të hapësirës, fuqisë e lirisë. Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti udhëhoqi fitoi dhe triumfoi në dhjetëra beteja kundër invadorëve Osmanë, duke pasur në ballë të luftëtarëve shqiptarë flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe, që u kthye në simbolin e nderit, trimërisë dhe lirisë. Me mijëra e mijëra luftëtarë shqiptarë të rënë në luftërat shekullore për liri i nderuan dhe mbuluan me flamurin kuq e zi. Nën robërinë osmane, flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare i mbijetoi sundimit pesë shekullor. Ai jetoi në kulturën e popullit shqiptar, i transmetuar brez pas brezi në tregimet, përrallat, legjendat e mitet, i skalitur në djepin e fëmijëve, në ballin e oxhakëve, në jelekët e burrave dhe të grave, në kuverta e qilima, në ballin e arkave ku nuset e reja mbanin pajën, në furka, armët e brezit e mbi të gjitha i skalitur për të mos u shuar në ndërgjegjen e kombit shqiptar.